Forumi i Hapur PROF. DR. ENVER HASANI

May 8th, 2013

Në vazhdën e serisë së Forumeve të Hapura të organizuara nga Universiteti “Epoka”, i ftuari i radhës ishte Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, i cili me datë 8 maj 2013 zhvilloi një bashkëbisedim me studentët me temë “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në kontekstin e Kosovës”. Gjatë bashkëbisedimit, Prof. Enver Hasani bëri një përmbledhje të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës në vite për të drejtat e tyre civile dhe kombëtare si dhe luftën për pavarësi. Ai gjithashtu u ndal dhe në zhvillimet politike në Kosovë dhe reflektimin e nevojës së një pavarësie të plotë të saj. Në referimin e tij para studentëve, Prof. Enver Hasani shtjelloi historikun e nevojës për pavarësi të Kosovës, që nga demostratat e vitit 1981, për të vijuar më pas me atë që ai e cilësoi si rritje të nacionalizmit serb si dhe luftërat në ish-Jugosllavi, të cilat çuan në shpërbërjen e Fedaratës Jugosllave.

Duke iu referuar demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Prof. Enver Hasani u shpreh se ato përbënin një lëvizje legjitime, e cila kërkonte një status të barabartë juridik të Kosovës me republikat e tjera përbërëse të Federatës Jugosllave, duke marrë në konsideratë faktin që pas serbëve dhe kroatëve, shqiptarët përbënin grupin e tretë më të madh etnik në Jugosllavi. Prof. Enver Hasani theksoi se veçanërisht pas vdekjes së Titos, pati një prishje të ekulibrave ndërmjet njësive përbërëse të Federatës në favor të Serbisë, proces i cili u përshpejtua me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviçit karakterizuar nga rritja e vazhdueshme e nacionalizmit serb dhe mohimi sistematik i të drejtave më elementare të shqiptarëve të Kosovës. Sipas tij, fundi i viteve ’80 është një periudhë e rëndësishme në përpjekjet e shqiptarëve për të drejtat e tyre, për të vijuar më tej në luftën për pavarësi, një dekadë më vonë, si një e drejtë legjitime e tyre.

Prof. Enver Hasani vuri theksin në deklarimin e pavarësisë si një hap i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për pranimin e shtetit si një entitet juridik të pavarur dhe sovran dhe në këtë kontekst, njohja e kësaj pavarësie nga shtetet dhe organizatat e tjera ndërkombëtare fiton një rëndësi të veçantë. Në këtë kuadër, edhe njohja e pavarësisë së Kosovës është realizuar në pjesën dërrmuese nga vendet e zhvilluara të Perëndimit si dhe nga shtete të tjera aleate apo në marrëdhënie shumë të mira me vendet perëndimore. Nga ana tjetër, Prof. Enver Hasani përmendi edhe shembuj të bllokimit të vendimmarrjes në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të kërcënimit të përdorimit të vetos nga ana e Rusisë si në rastin e luftës së Bosnjës ashtu edhe në rastin e zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës. Prof. Enver Hasani u shpreh se duke u mbështetur në të gjithë këto shembuj, mund të thuhet se edhe pse ato mund të lehtësojnë apo nxisin bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërmjet shteteve anëtare, shpeshherë institucionet ndërkombëtare kthehen në instrumente të realpolitikës së fuqive të mëdha, duke vërtetuar argumentet e teorive realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fund, Prof. Enver Hasani iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga ana e studentëve, ndërsa falenderoi drejtuesit dhe studentët për ftesën.

Më herët, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani u prit në një takim nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Administrative, Prof. Dr. Güngör Turan, i cili e falenderoi atë për vizitën dhe e njohu me arritjet dhe sukseset e Universitetit “Epoka” gjatë viteve të fundit.